Publicitet

Hostuar ne:

Korçarët, “memecë” para ndeshjes me Sopotin PDF Print E-mail
(1 vote)
Nga Fatjon Hoxhalli   
E Diele, 16 Nentor

Futbollistëve korçarë u është ndaluar të flasin për mediat sportive, pa marrë leje në klub
Ndoshta për të shmangur çdo acarim të mundshëm në ndeshjen e radhës apo dhe euforinë, drejtuesit e klubit korçar u kanë dhënë urdhër futbollistëve të mos flasin për mediat. Këtë e bëjnë të ditur burime pranë klubit. Asnjë futbollist korçar nuk duhet të flasë pa marrë lejë në zyrat e klubit. Kjo lloj “diktature” nuk ishte parë në klubin korçar, drejtuesit e të cilit e shohin të arsyeshme që askush nuk duhet të bëjë deklarata bombastike para ndeshjes me Sopotin.


Duket një vendim i padrejtë edhe për faktin se në Korçë askush nuk ua ka mbyllur gojën lojtarëve. Përfaqësuesit e mediave sportive, të cilët kanë bërë vetëm detyrën e tyre deri tani, kanë tentuar të flasin me futbollistët, por këta të fundit nuk kanë pranuar, ndoshta edhe nga frika se mund të marrin gjoba. Eshtë një lloj diktature e pakuptimtë, sepse ndeshja me Sopotin është thjesht një ndeshje e radhës dhe jo ndonjë 90-minutësh i jashtëzakonshëm, ku deklaratat mund të rrisnin tensionin.

Edhe për klubin “Skënderbeu” është njëfarë uljeje dinjiteti, kur dihet që Korça është e njohur për kulturën e saj. Futbolli korçar nuk është i drejtuesve, futbollistëve apo trajnerit, por i gjithë qytetit, sepse në fund të fundit janë sportdashësit ata që e përjetojnë në çdo moment ecurinë e skuadrës. Futbollistëve u është “qepur” goja një ditë para ndeshjes me Sopotin dhe ky vendim ndoshta i ka çuditur edhe vetë ata.

Duke kërkuar që të mos u përmendet emri, disa prej tyre janë shprehur se ndeshja e sotme në Librazhd mund të konsiderohet e vështirë, por jo aq delikate sa të jetë përcaktuese për fatet e Skënderbeut. Gjithsesi, këta futbollistë janë dukur shumë optimistë për marrjen e 3 pikëve në fushën e Sopotit. Le të shpresojmë që pas ndeshjes së sotme, sido që të dalë ajo, të mos u ndalohet futbollistëve të japin mendimet e tyre…

Lojtarët marrin rrogat

Një ditë para ndeshjes me Sopotin, të gjithë futbollistët janë parë në zyrat e klubit “Skënderbeu”, ku kanë marrë rrogat e muajit tetor. Duket se shpërndarja e rrogave është bërë në kohën e duhur, sepse futbollistët nuk do ta kenë mendjen te lekët gjatë ndeshjes së sotme. Ndërkohë, shpërblimet e fitores me Luftëtarin nuk janë dhënë, sepse janë mbajtur në formë gjobe për dy barazimet dhe humbjen, që Skënderbeu pësoi në Lezhë.

Korçarët sistemohen në Elbasan

Ekipi i Skënderbeut është larguar dje nga Korça. Lojtarët kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore në aneksin e stadiumit dhe, pasi kanë drekuar në qytetin e tyre, rreth orës 16.00, janë nisur drejt Elbasanit, ku kanë kaluar natën.

Në fakt, Elbasani është më larg se Librazhdi, ku korçarët do të luajnë ndeshjen e sotme, por është fare afër me këtë qytet. Autobusi i Skënderbeut do të niset sot drejt Librazhdit, vetëm 120 minuta para fillimit të ndeshjes. Pra, kuptohet qartë se ka një vlerësim maksimal të kësaj ndeshjeje nga drejtuesit korçarë, të cilët i kanë plotësuar të gjitha kushtet skuadrës.

 
< Prev   Next >