|
Korça pret artistë nga vende të ndryshme të botës për nder të fotografit të saj të shquar të viteve '30, Kristaq Sotiri. Për herë të parë në juglindje të Shqipërisë starton Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë "Sotiri" i cili sjell magjinë e këtij arti nga 18 autorë nga Shqipëria, Gjeorgjia, Hollanda, Austria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Singapori, Belgjika, Greqia etj. Prezantimi për dhjetë ditë bëhet në galerinë e arteve
"Guri Madhi" të Qendrës Kulturore të Korçës. Po sot pasdite, gjatë ceremonisë së hapjes, jepen dhe dy çmime. Çmimi i parë i madh quhet "Sotiri".
Punimet e 18 artistëve nën siglën "Save is" sjellin magjinë e objektivit nga vende dhe ngjarje të ndryshme në botë. Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë "Sotiri" është mbështetur nga "Pro Helvetia", Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia e Korçës si dhe nga qendra kulturore "Lind Art" e cila, nën drejtimin e artistes Eleni Laperi, është iniciatore e këtij aktiviteti. Kjo e fundit ka përzgjedhur punimet në një fazë të parë, për të mbërritur tek emrat e atyre artistëve që do të jenë prezentë gjatë çeljes së konkursit në Shqipërinë juglindore.
Ky është aktiviteti i parë i këtij lloji në fushën e fotografisë. Sipas drejtorit të Qendrës Kulturore "Vangjush Mio" në Korçë, Vladimir Topi, përfshirja në këtë aktivitet e kaq shumë artistëve nga e gjithë bota është vlerësim që i kanë bërë pjesëmarrësit ndërsa për Korçën është një nder i veçantë.
Pas Korçës, ekspozita prezantohet në muajin shtator në Tiranë. Në këtë mënyrë ringjallja e veprës së Kristaq Sotirit është një sfidë edhe për Galerinë Kombëtare të Arteve e cila prej dy vjetësh ka pezulluar konkursin e saj ndërkombëtar të fotografisë "Marubi".
Nga Sotiri ne trashëgojmë sot rreth 15 mijë negativë që përbëjnë esencën e gjithë punës së mjeshtrit. Kryesisht janë portrete, realizuar brenda dhe jashtë studiove tipike të zanatit, dhe peizazhe që nuk shkojnë përtej Korçës, rrethinave dhe fshatrave të saj. Në krahun tjetër të Marubëve, që kishin krijuar dinastinë e tyre, peshonte juglindja me Sotirin. Ky i fundit "adaptoi mjeshtërinë e portretit të "intelektualit" shqiptar", komenton një artist i fotografisë, Besim Fusha. Në arkivin e tij gjejmë portrete nga më të shumëllojshmit, që nga vip-ët e qytetit, të quajtur "Parisi i vogël", deri tek kurbatkat (banoret e qytetit), lypësit, apo foto shumë të guximshme të ndonjë gruaje që josh me lule në dorë apo pozon e shtrirë në tapet me rroben e banjës. Sotiri mbetet një fotograf lirik, që reflekton shumë botën nga vjen, Korçën civile, të viteve '30. Kjo ndodh dhe me Marubët. Fotografia e tyre tregon terrenin e ashpër të veriut, dhe njerëzve të tij. Ndoshta kjo nuk mjafton. Sepse shumë realizime të Marubëve edhe pse të realizuara në studio, transmetojnë figura unikale, epike të veriut. Marubët janë dramatikë. Ndërsa personazhet e Sotirit dhe dritat rreth tyre janë të brishta, si të lara dhe transmetojnë një gjendje lirike. Edhe pse korçarë ata nuk kanë asnjë dallim për nga atmosfera dhe civilizimi perëndimor. Gratë mbajë muf apo kapelë elegante me pupla, ndërsa burrat cilindër. Dhe gjithmonë pozojnë në profil, pak diskretë, pak misteriozë.Kristaq Sotiri u lind në Mborje të Korçës në vitin 1883. Ashtu si një pjesë e mirë korçarëve që emigruan sa në Amerikë apo në Francë, emigroi drejt "tokës së premtuar". Deri në vitin 1919 ai kishte një studio të vetën në Nju Jork. Duhet thënë që në fillim se shkolla e fotografisë për Sotirin ishte eksperienca e tij e gjatë, por vetëm pasi kishte takuar "ustain" e fotografisë Georg Steckel nga Los Anxheles i Kalifornisë. Prej tij mori teknikën shumë specifike të ndriçimit, të cilës i mbeti besnik deri në fund. Në vitin 1922 u kthye në atdhe, në qytetin e lindjes ku hapi studion "Sotiri". Në fotoarkivin e tij që ruhet në kushtet e shtëpisë, përveç portreteve, një vend të rëndësishëm zënë peizazhet, momentet nga jeta sociale. Krijimtaria e Sotirit gjithmonë është ekspozuar në formë shumë të kufizuar. Pasurinë që trashëgojmë sot, një fotoarkiv me vlera kombëtare e trashëgojmë në saje të kujdesit që vetë mjeshtri pati deri në fund të jetës. Vdiq në vitin 1970. Ishte 87 vjeç.
|