|
Written by Fatjon Hoxhalli
|
|
Thursday, 26 June 2008 12:54 |
|
Një pedagog i Universitetit të Korçës ka përfunduar në pranga, pas denoncimit të një studenteje për marrje rryshfeti. Ngjarja ndodhi në qytetin e Korçës, ku sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se në pranga është vënë Robert Rado, pedagog në Universitetin “Fan Noli”.
Sipas burimeve policore, ai u arrestua në flagrancë, nga policia, pas mbërritje së një denoncimi në adresë të tij. “Denoncimi është bërë nga studentja me inicialet J.S, studente e pedagogur Rado”- thanë burimet policore.
Sipas denoncimit të bërë prej saj në komisariatin e qytetit, vajza ka deklaruar se pedagogu i ka kërkuar para në këmbim të marrjes së provimit që kishte me Radon.
Sipas të njëjtave burime mësohet se Rado i ka marrë studentes një shumë parash, për të kaluar në lëndën e filozofisë në degën Infermieri të këtij universiteti.
Aktualisht pedagogu ndodhet në komisariatin e qarkut të Korçës ku është duke u marrë në pyetje nga forcat policore në lidhje me këtë ngjarje. Gjithashtu janë duke u dokumentuar të gjitha të dhënat e kësaj ngjarjeje, si faktet e studentes ashtu edhe dëshmitë dhe faktet e paraqitura nga pedagogu i filozofisë.
Pedagogu sipas policisë, është i lindur në rrethin e Devollit dhe banor në qytetin e Korçës. Vepra penale për të cilën ka nisur procedimi është ajo e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Vepra këto të parashikuara nga nenet 259 dhe 248 te K.Penal.
Materialet, pas përpilimit të dosjes do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Korçëse për hetime të mëtejshme.
|