|
Written by Fatjon Hoxhalli
|
|
Friday, 20 June 2008 20:33 |
|
Të paktën 17 grupe nga vendi dhe afro 200 shtetas të huaj do të marrin pjesë në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, që do të zhvillohet në datën 22 qershor në qytetin e Korçës, i njohur për traditën e tij në festimin e karnavaleve. Në këtë Festival, sipas parashikimeve do të marrin pjesë 13 grupe nga Korça, katër grupe nga Tirana, Shkodra, Kavaja, Berati, si dhe afro 200 shtetas të huaj që do të vinë në këtë qytet nga Italia, Mali i Zi, Maqedonia etj.
Ndër grupet që do të përfaqësojnë rrethin e Korçës spikasin grupi i njohur i karnavaleve të fshatit Polenë, grupe nga teatri “Andon Zako Çajupi”, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Mihal Grameno”, si dhe grupe të shkollave të qytetit. Përgjegjësja për projektet social -kulturore në bashkinë e Korçës, Aida Shkodrani, tha se “ky është i pari festival ndërkombëtar i karnavaleve që organizohet në vendin tonë dhe që do të zhvillohet çdo vit në qytetin e Korçës në prag të çeljes së sezonit turistik. Parada e karnavaleve do të nisë të shtunën me ceremoninë e saj në sheshin para katedrales së qytetit dhe do të vazhdojë përgjatë njërit prej bulevardeve kryesore të Korçës për të përfunduar me takimin e të gjitha grupeve pjesëmarrëse në Pallatin e Sportit.
|