Shkëmbi: Skënderbeu, "i dënuar" të fitojë në Kuçovë |
|
|
|
| Written by Fatjon Hoxhalli | |||
| Thursday, 16 April 2009 01:38 | |||
|
Kapiteni i korçarëve ka bindjen se ekipi i tij do të flasë me gjuhën e 3-pikëshave në 5 javët e fundit
Korçarët i pret këtë javë një transfertë e lehtë në dukje, ajo me Naftëtarin e vendit të fundit, por Skënderbeu nuk ka si ta mendojë ndeshjen të fituar, sepse kjo e ka dëmtuar mjaft gjatë këtij kampionati. Kjo ndeshje ka vlerësimin maksimal, për më tepër që korçarët kanë qenë mjaft defektozë në transfertat e fundit.
Trajneri Indrit Fortuzi po mundohet të “injektojë” besim te të tijtë, sepse, sipas tij, çdo gjë është e hapur për superligën dhe titullin. Ndeshja e radhës do të luhet pa praninë e sportdashësve kuçovarë, megjithatë vështirësia mbetet e madhe, pasi Naftëtari ka shanse për të mbijetuar dhe do të kërkojë pikët maksimale. Skënderbeut nuk i falet një tjetër gabim, siç ka bërë gjatë fazës së dytë me Adën, Laçin dhe Luftëtarin. Një “rrëshqitje” me Naftëtarin do të ishte fatale për korçarët, të cilët as duan ta mendojnë se mund të ndodhë një gjë e tillë.
Besimin për fitore e shpreh hapur kapiteni Bledi Shkëmbi, madje ai thekson se Skënderbeu do t’i fitojë të 5 ndeshjet e mbetura. “Kreu na iku përsëri nga duart, por ende nuk ka përfunduar kampionati. Janë edhe 5 javë dhe, ashtu siç gabuam ne, mund të gabojnë edhe rivalët tanë. Ne duhet të bëjmë detyrën, duke i fituar ndeshjet që na kanë mbetur, pasi në fund mund ta rimarrim atë që na takon.
Mendoj se nuk do të ketë hapa të gabuar nga ana jonë edhe në dy ndeshjet jashtë fushe. Edhe këtë javë me Naftëtarin na pret një ndeshje e fortë, ndonëse kundërshtari është në vend të fundit. Ai lufton për të qëndruar në kategorinë e parë dhe ndeshja të tilla janë shpesh më të forta. Megjithatë, jam 100% i bindur se Skënderbeu do të fitojë, pasi momenti i keq them se ka kaluar.
E respektojmë ekipin vendës, por jemi “të dënuar” ta fitojmë këtë ndeshje. Të kalojmë fillimisht me sukses Naftëtarin dhe më pas të mendojmë për kundërshtarët e radhës,” - tha dje kapiteni i kuqebardhëve, Shkëmbi.
Mungojnë Lako, Doku dhe Kotomelo
Tri mungesa do të ketë Skënderbeun në ndeshjen me Naftëtarin. I pari është mbrojtësi Stavrion Lako, i cili në ndeshjen e fundit është ndëshkuar me karton të verdhë dhe ka plotësuar numrin tre, duke u skualifikuar. Doku ka pësuar një dëmtim në ndeshjen me Sopotin, dëmtim që duket se është më i rëndë nga sa parashikohej. Dhe futbollisti i 3-të që do të mungojë është Kotomelo, i cili ende nuk është riaftësuar, kurse Ballço do të kthehet titullar në ndeshjen me Naftëtarin.
Bilishtarët: E meritonim 1 pikë me Laçin
Bilisht Sporti luajti mjaft mirë me Laçin kryesues, por u ndëshkua në kohën shtesë nga një gol i miqve. Me dy futbollistë më pak, pasi u ndëshkuan me karton të kuq Ohadiro dhe Myderosi, bilishtarët rezistuan mirë, por 60 sekondat e fundit ishin fatale, sepse vendosi përvoja e laçianëve. I zhgënjyer pas humbjes ka qenë presidenti Spartak Meraku, i cili ka thënë:
“Eshtë për të ardhur keq, për mënyrën si humbëm. E meritonim pikën në atë ndeshje. U revoltova në momentin e fundit, sepse lojtarët kujtuan se përfundoi ndeshja dhe lëshuan në mbrojtje. Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte dhe tani jemi të rrezikuar. Naftëtari është 5 pikë larg nesh dhe shpresoja që të mos luanim në “play out”, nëse do të fitonim. Por ky është futbolli, që të ndëshkon edhe në momentine fundit. Tani duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera.”
|




