Larti: U riktheva te Skënderbeu për superligën

PDF Print E-mail
User Rating: / 1
PoorBest 
Written by Fatjon Hoxhalli   
Friday, 13 February 2009 17:57
Pavarësisht disa dyshimeve, mbrojtësi Klejdi Larti ka arritur akordin me kryesinë e klubit korçar dhe tani do të veshë përsëri fanellën e Skënderbeut. “Firmosa kontratën dhe nuk ka dyshim që kam bërë zgjedhjen më të mirë. Ky Skënderbe më bind plotësisht se është ekipi më i mirë i kategorisë së parë dhe që e meriton të jetë në superligë sezonin e ardhshëm. Këtu kam gjetur një grup lojtarësh vërtet profesionistë dhe jam shumë i lumtur që do të luaj me ta,” -tha dje për “Sportin shqiptar” Klejdi Larti, përforcimi i fundit i Skënderbeut, i treti pas Tafajt dhe Bahollit. Me kthimin e Lartit, tashmë mbrojtja korçare është më e sigurt, ndërkohë që të gjithë repartet e Skënderbeut janë plotësuar me lojtarë me emër në kategorinë e parë dhe në superligë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Indrit Fortuzi duket vërtet i ndërtuar vetëm për të fituar. 
Këtë korçarët e treguan në Kamëz me Dajtin, ku fituan 3-2, ndërsa tani kërkojnë suksesin e radhës. Ata presin në fushën e tyre Skraparin, ndërkohë që klubi “Skënderbeu” është duke organizuar një festë, pasi do të inaugurohet tapeti i ri. Pritet që nesër në Korçë të jenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të FSHF së, sigurisht për të prerë shiritin. Gjithçka është gati dhe stadiumi do të hapë dyert për të pritur mijëra sportdashës korçarë, që për shumë javë kanë munguar, sepse Skënderbeu i ka luajtur ndeshjet si pritës në stadiumin e Bilishtit. Lojtarët duan ta fitojnë ndeshjen me skraparlinjtë, që gëzimi të jetë i dyfishtë. Këtë e thekson edhe Larti: “Në radhë të parë, nuk e di, nëse do të jem në fushë në ndeshjen me Skraparin. Për këtë vendos trajneri Fortuzi, ndërkohë që unë jam gati. Ka rëndësi që ekipi ta kalojë me sukses Skraparin, sepse dita e ndeshjes duhet të jetë një festë për të gjithë. Jam besim shumë te grupi. Jam gati të kontribuoj maksimalisht për ekipin tim në 14 javët e mbetura. Sido që të rrjedhin ngjarjet, Skënderbeu ka për të qenë në krye deri në fund.”

—————————————————————————–

Trajneri Fortuzi, sot para gazetarëve

Sot, në orën 13.00, trajneri i Skënderbeut, Indrit Fortuzi, do të dalë para gazetarëve dhe do t’u përgjigjet pyetjeve për ndeshjen me Skraparin. Bashkë me trajnerin Fortuzi, ka shumë mundësi të jetë para mediave edhe kapiteni Bledi Shkëmbi. Kjo është konferenca e 3-të për shtyp, që “Zogu” do të japë në ambientet e klubit korçar. Ky klub u ka bërë thirrje sportdashësve, që ditën e shtunë të mos mungojnë në stadiumin “Skënderbeu”, ku do të bëhet edhe inaugurimi i tapetit të ri.

————————————————————————-

Shkëmbi: Jam gati për fitoren e radhës

Bledi Shkëmbi, i cili e kishte shqetësuar disi trajnerin, pas kontraktimit muskulor që pësoi para 2 ditësh, ka thënë dje për “Sportin shqiptar” se do të jetë gati për ndeshjen e nesërme. “Jam plotësisht gati të luaj në ndeshjen me Skraparin dhe do të bëj të pamundurën për fitoren e radhës. Pavarësisht se do të kemi disa mungesa, ku më e rëndësishmja është ajo e Tikos, do të dimë t’ia dalim. Skënderbeu të shtunën do të rikthehet në shtëpi dhe kjo është një shtysë më shumë për 3 pikët. Skraparin e kemi vlerësuar maksimalisht dhe do të përpiqemi të fitojmë me një lojë të bukur para sportdashësve tanë,” ka thënë dje kapiteni Shkëmbi.